Bibla Shqip

Veprat e Apostujve 17:1-13 Bibla Shqip (ALBB)

1. Dhe mbasi kishin kaluar nëpër Amfipoli dhe nëpër Apoloni, arritën në Thesaloniki, ku ishte sinagoga e judenjve.

2. Dhe Pali, sipas zakonit të vet, hyri tek ata dhe tri të shtuna me radhë u paraqiti argumente nga Shkrimet,

3. duke deklaruar dhe duke treguar atyre se Krishti duhej të vuante dhe të ringjallej prej së vdekurish dhe duke thënë: ''Ky Jezusi që unë ju shpall është Krishti''.

4. Disa nga ata besuan dhe u bashkuan me Palin dhe Silën, si dhe një numër i madh grekësh të përshpirtshëm dhe jo pak gra të rëndësishme.

5. Por judenjtë, të cilët nuk kishin besuar, patën smirë dhe morën me vete disa njerëz të këqij nga ata të rrugëve të tregut dhe, si mblodhën një turmë, e bënë rrëmujë qytetin; edhe sulmuan shtëpinë e Jasonit dhe kërkonin ata për t'i nxjerrë përpara popullit.

6. Por, mbasi nuk i gjetën, e hoqën zvarrë Jasonin dhe disa vëllezër përpara krerëve të qytetit, duke thirrur: ''Ata që e kanë bërë rrëmujë botën, kanë ardhur edhe këtu,

7. dhe Jasoni këta i priti; të gjithë këta veprojnë kundër statuteve të Cezarit, duke thënë se është një mbret tjetër, Jezusi''.

8. Edhe nxitën popullin dhe krerët e qytetit, që i dëgjonin këto gjëra.

9. Por ata, mbasi morën një dorëzani nga Jasoni dhe nga të tjerët, i lejuan të shkojnë.

10. Atëherë vëllezërit menjëherë natën i nisën Palin dhe Silën për në Berea dhe ata, sapo arritën atje, hynë në sinagogën e judenjve.

11. Por këta ishin më fisnikë nga ndjenjat se ata të Thesalonikit dhe e pranuan fjalën me gatishmëri të madhe, duke i shqyrtuar çdo ditë Shkrimet për të parë nëse këto gjëra ishin ashtu.

12. Shumë nga ata, pra, besuan bashkë me një numër jo të vogël grash fisnike greke dhe burrash.

13. Por, kur judenjtë e Thesalonikit morën vesh se fjala e Perëndisë ishte shpallur nga Pali edhe në Berea, shkuan edhe atje dhe e turbulluan turmën.