Bibla Shqip

Veprat e Apostujve 16:24-35 Bibla Shqip (ALBB)

24. Ky, si mori një urdhër të tillë, i futi në pjesën më të brendshme të burgut dhe ua shtrëngoi këmbët në dru.

25. Aty nga mesnata Pali dhe Sila po luteshin dhe i këndonin himne Perëndisë; dhe të burgosurit i dëgjonin.

26. Befas u bë një tërmet i madh, saqë u tundën themelet e burgut; dhe në atë çast u hapën të gjitha dyert dhe të gjithëve iu zgjidhën prangat.

27. Rojtari i burgut, kur u zgjua dhe pa dyert e burgut të hapura, nxori shpatën dhe donte të vriste veten, duke menduar se të burgosurit kishin ikur.

28. Por Pali thirri me zë të lartë: ''Mos i bëj ndonjë të keqe vetes, sepse ne të gjithë jemi këtu''.

29. Atëherë ai kërkoi një dritë, u turr brenda dhe duke u dridhur i tëri u ra ndër këmbë Palit dhe Silës;

30. pastaj i nxori jashtë dhe tha: ''Zotërinj, ç'duhet të bëj unë që të shpëtohem?''.

31. Dhe ata i thanë: ''Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtohesh ti dhe shtëpia jote''.

32. Pastaj ata i shpallën fjalën e Zotit atij dhe gjithë atyre që ishin në shtëpinë e tij.

33. Dhe ai i mori që në atë orë të natës dhe ua lau plagët. Dhe ai dhe të gjithë të tijtë u pagëzuan menjëherë.

34. Mbasi i çoi në shtëpinë e vet, ua shtroi tryezën dhe u gëzua me gjithë familjen e tij që kishte besuar në Perëndinë.

35. Kur u gdhi, pretorët dërguan liktorët t'i thonë rojtarit të burgut: ''Lëri të lirë ata njerëz''.