Bibla Shqip

Veprat e Apostujve 16:16-33 Bibla Shqip (ALBB)

16. Dhe, kur po shkonim për lutje, na doli para një skllave e re që kishte një frymë falli, e cila, duke u treguar fatin njerëzve, u sillte shumë fitime zotërinjve të saj.

17. Ajo u vu të ndjekë Palin dhe ne, dhe bërtiste duke thënë: ''Këta njerëz janë shërbëtorë të Perëndisë Shumë të Lartë dhe ju shpallën udhën e shpëtimit''.

18. Dhe ajo e bëri këtë shumë ditë me radhë, por Pali, i mërzitur, u kthye dhe i tha frymës: ''Unë të urdhëroj në emër të Jezu Krishtit të dalësh prej saj''. Dhe fryma doli që në atë çast.

19. Por zotërinjtë e saj, kur panë se u humbi shpresa e fitimit të tyre, i kapën Palin dhe Silën dhe i tërhoqën te sheshi i tregut përpara arkondëve;

20. dhe si ua paraqitën pretorët, thanë: ''Këta njerëz, që janë judenj, e turbullojnë qytetin tonë,

21. dhe predikojnë zakone që për ne, që jemi Romakë, nuk është e ligjshme t'i pranojmë dhe t'i zbatojmë''.

22. Atëherë turma u lëshua e gjitha bashkë kundër tyre: dhe pretorëve, ua grisën atyre rrobat dhe urdhëruan t'i rrahin me kamxhik.

23. Dhe si i rrahën me shumë goditje, i futën në burg duke urdhëruar rojtarin e burgut t'i ruajë me kujdes.

24. Ky, si mori një urdhër të tillë, i futi në pjesën më të brendshme të burgut dhe ua shtrëngoi këmbët në dru.

25. Aty nga mesnata Pali dhe Sila po luteshin dhe i këndonin himne Perëndisë; dhe të burgosurit i dëgjonin.

26. Befas u bë një tërmet i madh, saqë u tundën themelet e burgut; dhe në atë çast u hapën të gjitha dyert dhe të gjithëve iu zgjidhën prangat.

27. Rojtari i burgut, kur u zgjua dhe pa dyert e burgut të hapura, nxori shpatën dhe donte të vriste veten, duke menduar se të burgosurit kishin ikur.

28. Por Pali thirri me zë të lartë: ''Mos i bëj ndonjë të keqe vetes, sepse ne të gjithë jemi këtu''.

29. Atëherë ai kërkoi një dritë, u turr brenda dhe duke u dridhur i tëri u ra ndër këmbë Palit dhe Silës;

30. pastaj i nxori jashtë dhe tha: ''Zotërinj, ç'duhet të bëj unë që të shpëtohem?''.

31. Dhe ata i thanë: ''Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtohesh ti dhe shtëpia jote''.

32. Pastaj ata i shpallën fjalën e Zotit atij dhe gjithë atyre që ishin në shtëpinë e tij.

33. Dhe ai i mori që në atë orë të natës dhe ua lau plagët. Dhe ai dhe të gjithë të tijtë u pagëzuan menjëherë.