Bibla Shqip

Veprat e Apostujve 12:9-20 Bibla Shqip (ALBB)

9. Dhe Pjetri, mbasi doli, e ndiqte pa e kuptuar se ç'po i ndodhte me anë të engjëllit ishte e vërtetë; sepse ai pandehte se kishte një vegim.

10. Dhe, si kaluan vendrojën e parë dhe të dytë, arritën te dera e hekurt që të çonte në qytet, dhe ajo u hap përpara tyre vetvetiu; dhe, mbasi dolën, përshkuan një rrugë dhe papritmas engjëlli e la atë.

11. Kur Pjetri erdhi në vete, tha: ''Tani me të vërtetë po e di se Zoti ka dërguar engjëllin e vet dhe më liroi nga duart e Herodit duke e bërë të kotë gjithë atë që priste populli i judenjve''.

12. Kur e kuptoi situatën, ai u nis për në shtëpinë e Marisë, nënës së Gjonit, të mbiquajtur Mark, ku shumë vëllezër ishin mbledhur dhe po luteshin.

13. Sapo Pjetri i ra derës së hyrjes, një shërbëtore që quhej Rode u afrua me kujdes për të dëgjuar.

14. Dhe, kur njohu zërin e Pjetrit, nga gëzimi nuk e hapi derën, por rendi brenda dhe njoftoi se Pjetri ndodhej para derës.

15. Por ata i thanë: ''Ti flet përçart''. Por ajo pohonte se ashtu ishte. Dhe ata thoshin: ''Është engjëlli i tij!''.

16. Ndërkaq Pjetri vazhdonte të trokiste. Ata, kur e hapën, e panë atë dhe u mahnitën.

17. Por ai u bëri shenjë me dorë të heshtnin dhe u tregoi se si Zoti e kishte nxjerrë nga burgu. Pastaj tha: ''Ua tregoni këto Jakobit dhe vëllezërve!''. Pastaj doli dhe shkoi në një vend tjetër.

18. Kur zbardhi dita, u bë një pështjellim i madh në mes të ushtarëve, sepse nuk dinin ç'kishte ndodhur me Pjetrin.

19. Dhe Herodi nisi ta kërkojë, por nuk e gjeti, dhe, mbasi i mori në pyetje rojet, urdhëroi që të vriten. Pastaj zbriti nga Judeja në Cezare dhe atje qëndroi për pak kohë.

20. Por Herodi ishte shumë i zemëruar me tirasit dhe sidonasit; por ata, në një mendje të vetme erdhën tek ai dhe, mbasi ia mbushën mendjen Blastit, nëpunësit të dhomës së mbretit, sepse vendi i tyre ushqehej nga vendi i mbretit.