Bibla Shqip

Veprat e Apostujve 12:11-25 Bibla Shqip (ALBB)

11. Kur Pjetri erdhi në vete, tha: ''Tani me të vërtetë po e di se Zoti ka dërguar engjëllin e vet dhe më liroi nga duart e Herodit duke e bërë të kotë gjithë atë që priste populli i judenjve''.

12. Kur e kuptoi situatën, ai u nis për në shtëpinë e Marisë, nënës së Gjonit, të mbiquajtur Mark, ku shumë vëllezër ishin mbledhur dhe po luteshin.

13. Sapo Pjetri i ra derës së hyrjes, një shërbëtore që quhej Rode u afrua me kujdes për të dëgjuar.

14. Dhe, kur njohu zërin e Pjetrit, nga gëzimi nuk e hapi derën, por rendi brenda dhe njoftoi se Pjetri ndodhej para derës.

15. Por ata i thanë: ''Ti flet përçart''. Por ajo pohonte se ashtu ishte. Dhe ata thoshin: ''Është engjëlli i tij!''.

16. Ndërkaq Pjetri vazhdonte të trokiste. Ata, kur e hapën, e panë atë dhe u mahnitën.

17. Por ai u bëri shenjë me dorë të heshtnin dhe u tregoi se si Zoti e kishte nxjerrë nga burgu. Pastaj tha: ''Ua tregoni këto Jakobit dhe vëllezërve!''. Pastaj doli dhe shkoi në një vend tjetër.

18. Kur zbardhi dita, u bë një pështjellim i madh në mes të ushtarëve, sepse nuk dinin ç'kishte ndodhur me Pjetrin.

19. Dhe Herodi nisi ta kërkojë, por nuk e gjeti, dhe, mbasi i mori në pyetje rojet, urdhëroi që të vriten. Pastaj zbriti nga Judeja në Cezare dhe atje qëndroi për pak kohë.

20. Por Herodi ishte shumë i zemëruar me tirasit dhe sidonasit; por ata, në një mendje të vetme erdhën tek ai dhe, mbasi ia mbushën mendjen Blastit, nëpunësit të dhomës së mbretit, sepse vendi i tyre ushqehej nga vendi i mbretit.

21. Ditën e caktuar Herodi, i veshur me mantelin mbretëror dhe i ulur mbi fron, u mbajti një fjalim.

22. Populli e brohoriste, duke thënë: ''Zë e Perëndisë dhe jo e njeriut!''.

23. Në atë çast një engjëll i Zotit e goditi, sepse nuk i kishte dhënë lavdi Perëndisë; dhe, i brejtur nga krimbat, vdiq.

24. Ndërkaq fjala e Perëndisë rritej dhe përhapej.

25. Dhe Barnaba dhe Sauli, mbasi e përfunduan misionin e tyre, u kthyen nga Jeruzalemi në Antioki duke e marrë me vete Gjonin, të mbiquajtur Mark.