Bibla Shqip

Veprat e Apostujve 12:1-9 Bibla Shqip (ALBB)

1. Dhe në atë kohë mbreti Herod filloi të përndjekë disa nga kisha.

2. Dhe e vrau me shpatë Jakobin, vëllain e Gjonit.

3. Dhe, duke parë se kjo u pëlqente judenjve, urdhëroi të arrestohet edhe Pjetri (ishin ditët e të Ndormëve).

4. Mbasi e arrestoi, e futi në burg dhe ua besoi ruajtjen e tij katër skuadrave, me nga katër ushtarë secila, duke menduar ta nxjerrë para popullit mbas Pashkës.

5. Por, ndërsa Pjetrin e ruanin në burg, nga ana e kishës bënin lutje të vazhdueshme te Perëndia për të.

6. Dhe natën, para se ta nxirrte Herodi përpara popullit, Pjetri po flinte në mes dy ushtarëve, i lidhur me dy zinxhirë; dhe rojet para portës ruanin burgun.

7. Dhe ja, një engjëll i Zotit u duk dhe një dritë e ndriçoi qelinë; dhe ai i ra Pjetrit në ijë, e zgjoi duke thënë: ''Çohu shpejt!''. Dhe zinxhirët i ranë nga duart.

8. Pastaj engjëlli i tha: ''Ngjishu dhe lidhi sandalet!''. Dhe ai bëri kështu. Pastaj i tha: ''Mbështillu me mantelin dhe ndiqmë!''.

9. Dhe Pjetri, mbasi doli, e ndiqte pa e kuptuar se ç'po i ndodhte me anë të engjëllit ishte e vërtetë; sepse ai pandehte se kishte një vegim.