Bibla Shqip

Veprat e Apostujve 1:12-26 Bibla Shqip (ALBB)

12. Atëherë ata u kthyen në Jeruzalem, nga mali që quhet i Ullinjve, që është afër Jeruzalemit sa një ecje e së shtunës.

13. Dhe, si u kthyen në qytet, u ngjitën në sallën e sipërme, ku rrinin Pjetri dhe Jakobi, Gjoni dhe Andrea, Filipi dhe Thomai, Bartolomeu dhe Mateu, Jakobi i Alfeut dhe Simon Zellshmi, dhe Juda i Jakobit.

14. Të gjithë këta ngulmonin me një mendje të vetme në lutje dhe përgjërim së bashku me gratë, me Marinë, nënën e Jezusit, dhe me vëllezërit e tij.

15. Në ato ditë Pjetri u çua në mes të dishepujve (dhe numri i emrave të mbledhur ishte rreth njëqind e njëzet) dhe tha:

16. ''Vëllezër, ishte e nevojshme që të përmbushej ky Shkrim, të cilin Fryma e Shenjtë e parafoli me anë të gojës së Davidit në lidhje me Judën, i cili u bë prijës i atyre që e kapën Jezusin.

17. Sepse ai ishte i numëruar bashkë me ne dhe kishte pjesë në këtë shërbesë.

18. Ai, pra, fitoi një arë, me shpërblimin e paudhësisë, dhe duke rënë kokëposhtë, plasi në mes dhe të gjitha të brendshmet e tij iu derdhën.

19. Kjo iu bë e njohur të gjithë banorëve të Jeruzalemit, sa që ajo arë në dialektin e tyre është quajtur Akeldama, që do të thotë: "Ara e gjakut".

20. Në fakt, në librin e Psalmeve, është shkruar: ''Shtëpia e tij u bëftë e shkretë dhe askush mos banoftë në të!'', dhe: ''Tjetërkush e zëntë detyrën e tij!''.

21. Duhet, pra, që ndër burrat që kanë qenë në shoqërinë tonë gjithë kohën në të cilën Zoti Jezus ka hyrë dhe ka dalë midis nesh,

22. duke filluar që nga pagëzimi i Gjonit e deri në atë ditë kur u mor në qiell nga mesi ynë, një prej tyre të bëhet dëshmitar me ne, i ringjalljes së tij''.

23. Dhe u paraqitën dy: Jozefi, i quajtur Barsaba, që ishte i mbiquajtur Just, dhe Matia.

24. Dhe, duke u lutur, thanë: ''Ti, o Zot, që i njeh zemrat e të gjithëve, trego cilin nga këta të dy ke zgjedhur,

25. për të marrë shortin e kësaj shërbese dhe apostullimin, nga i cili Juda u largua për të shkuar në vendin e tij''.

26. Atëherë hodhën short, dhe shorti i ra Matias; dhe ai iu shtua të njëmbëdhjetë apostujve.