Bibla Shqip

Mikea 7:10-20 Bibla Shqip (ALBB)

10. Atëherë armikja ime do ta shohë dhe do të mbulohet me turp, ajo që më thoshte: "Ku është Zoti, Perëndia yt?". Sytë e mi do ta shikojnë me ëndje, ndërsa do ta shkelin si baltën e rrugëve.

11. Kur do të rindërtohen muret e tua, atë ditë kufiri yt do të zgjerohet shumë.

12. Atë ditë do të vinë te ti, nga Asiria dhe nga qytetet e tua të fortifikuara, nga qyteti i fortifikuar deri te Lumi, nga deti në det dhe nga mali në mal.

13. Por vendi do të katandiset në një shkreti për shkak të banorëve të tu, për shkak të frytit të veprimeve të tyre.

14. Kullot popullin tënd me shkopin tënd, kopenë e trashëgimisë sate, që rri i vetmuar në pyllin në mes të Karmelit. Le të kullosin në Bashan dhe në Galaad si në kohërat e lashta.

15. "Si në ditët që dole nga vendi i Egjiptit, unë do t'u tregoj atyre gjëra të mrekullueshme".

16. Kombet do të shohin dhe do t'u vijë turp për tërë fuqinë e tyre; do të vënë dorën te goja, veshët e tyre do të mbeten të shurdhër.

17. Do të lëpijnë pluhurin si gjarpri, si rrëshqanorët e tokës, do të dalin duke u dridhur nga vendet ku janë fshehur; do të kenë frikë nga Zoti, Perëndia ynë, dhe do të kenë frikë nga ti.

18. Cili Perëndi është si ti, që fal paudhësinë dhe e kapërcen shkeljen e mbetjes së trashëgimisë së tij? Ai nuk e mban përgjithnjë zemërimin e tij, sepse i pëlqen të jetë i mëshirshëm.

19. Atij do t'i vijë përsëri keq për ne, do të shkelë paudhësitë tona, Ti do të hedhësh në fund të detit tërë mëkatet tona.

20. Ti do t'ia tregosh besnikërinë tënde Jakobit dhe dhembshurinë tënde Abrahamit, siç iu betove etërve tanë qysh në kohërat e lashta.