Bibla Shqip

Mikea 6:8-16 Bibla Shqip (ALBB)

8. O njeri, ai të ka bërë të njohur atë që është e mirë; dhe çfarë tjetër kërkon Zoti nga ti, përveçse të zbatosh drejtësinë, të duash mëshirën dhe të ecësh përulësisht me Perëndinë tënd?

9. Zëri i Zotit i thërret qytetit, dhe kush ka dituri do të njohë emrin tënd: "Kini kujdes për thuprën dhe për atë që e ka caktuar.

10. A ka akoma në shtëpinë e të pabesit thesare nga paudhësia, dhe efa të mangëta, që janë një gjë e neveritshme?

11. Mund ta shpall të pastër njeriun me peshore të pasakta dhe me qeskën me pesha të rreme?

12. Pasanikët e tij në fakt janë plot me dhunë, banorët e tij thonë gënjeshtra dhe gjuha e tyre nuk është veçse mashtrim në gojën e tyre.

13. Prandaj edhe unë do të të bëj të vuash, duke të goditur dhe duke bërë që të jesh i shkretë për shkak të mëkateve të tua.

14. Ti do të hash, por nuk do të ngopesh dhe uria do të mbetet brenda teje; do të vësh mënjanë por nuk do të shpëtosh asgjë, dhe atë që do të shpëtosh do t'ia dorëzoj shpatës.

15. Ti do të mbjellësh, por nuk do të korrësh; do t'i shtypësh ullinjtë, por nuk do të lyhesh me vaj; do të bësh musht, por nuk do të pish verë.

16. Ju ndiqni statutet e Omrit dhe tërë praktikat e shtëpisë së Ashabit, dhe ju ecni sipas këshillave të tyre, që unë t'ju katandis në një shkreti, dhe banorët e tu në një objekt talljeje. Kështu ju do të mbani turpin e popullit tim!".