Bibla Shqip

Jobi 9:22-35 Bibla Shqip (ALBB)

22. Është e njëjta gjë, prandaj them: "Ai shkatërron njeriun e ndershëm dhe të keqin".

23. Në qoftë se një fatkeqësi mbjell papritur vdekjen, ai qesh me vuajtjen e të pafajshmëve.

24. Toka u është dhënë në dorë të këqijve; ai u vesh sytë gjyqtarëve të saj; po të mos jetë ai, kush mund të ishte, pra?

25. Tani ditët e mia kalojnë më shpejt se një vrapues, ikin pa parë asnjë të mirë.

26. Ikin shpejt si anijet prej xunkthi, si shqiponja që sulet mbi gjahun e vet.

27. Në qoftë se them: "Dua ta harroj vajtimin, ta lë pamjen time të trishtuar dhe të tregohem i gëzuar",

28. më hyn frika për të gjitha dhembjet e mia; e di mirë që ti nuk do të më konsiderosh të pafajshëm.

29. Në qoftë se jam i dënuar tanimë, pse të lodhem më kot?

30. Edhe sikur të lahesha me borë dhe të pastroja duart e mia me sodë,

31. ti do të më hidhje në baltën e një grope, edhe vetë rrobat e mia do të më kishin lemeri.

32. Në të vërtetë ai nuk është një njeri si unë, të cilit mund t'i përgjigjemi dhe të dalim në gjyq bashkë.

33. Nuk ka asnjë arbitër midis nesh, që të vërë dorën mbi ne të dy.

34. Le të largojë nga unë shkopin e tij, tmerri i tij të mos më trembë.

35. Atëherë do të mund të flas pa pasur frikë prej tij, sepse nuk jam kështu me veten time.