1. Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:
2. "Po, unë e di që është kështu, por si mund të jetë i drejtë njeriu përpara Perëndisë?
3. Në rast se dikush dëshiron të diskutojë me të, nuk mund t'i përgjigjet veçse një herë mbi një mijë.
4. Perëndia është i urtë nga zemra dhe i fuqishëm nga forca, kush, pra, u fortësua kundër tij dhe i shkoi mbarë?
5. Ai vendos malet dhe ato nuk e dinë që ai i përmbys në zemërimin e tij.
6. Ai e tund dheun nga vendi i tij, dhe kolonat e tij dridhen.
7. Urdhëron diellin, dhe ai nuk lind, dhe vulos yjet.
8. I vetëm shpalos qiejt dhe ecën mbi valët e larta të detit.
9. Ka bërë Arushën dhe Orionin, Plejadat dhe krahinat e jugut.
10. Ai bën gjëra të mëdha dhe që nuk mund të hetohen, po, mrekulli të panumërta.
11. Ja, më kalon afër dhe nuk e shoh, kalon tutje dhe nuk e kuptoj.
12. Ja, ai kap gjahun dhe kush mund t'ia rimarrë? Kush mund t'i thotë: "Çfarë po bën?".