Bibla Shqip

Jobi 1:3-11 Bibla Shqip (ALBB)

3. Veç kësaj zotëronte shtatë mijë dele, tre mijë deve, pesëqind pendë qe, pesëqind gomarë dhe një numër shumë të madh shërbëtorësh. Kështu ky njeri ishte më i madhi ndër të gjithë njerëzit e Lindjes.

4. Bijtë e tij kishin zakon të shkonin për banket në shtëpinë e secilit ditën e caktuar; dhe dërgonin të thërrisnin tri motrat e tyre, që të vinin të hanin dhe të pinin bashkë me ta.

5. Kur mbaronte seria e ditëve të banketit, Jobi i thërriste për t'i pastruar; ngrihej herët në mëngjes dhe ofronte holokauste sipas numrit të gjithë atyre, sepse Jobi mendonte: "Ndofta bijtë e mi kanë mëkatuar dhe e kanë blasfemuar Perëndinë në zemrën e tyre". Kështu bënte Jobi çdo herë.

6. Një ditë ndodhi që bijtë e Perëndisë shkuan të paraqiten para Zotit, dhe ndër ta shkoi edhe Satani.

7. Zoti i tha Satanit: "Nga vjen?". Satani iu përgjigj Zotit dhe tha: "Nga ecejaket mbi dheun duke e përshkruar lart e poshtë".

8. Zoti i tha Satanit: "E ke vënë re shërbëtorin tim Job? Sepse mbi dhe nuk ka asnjë tjetër si ai që të jetë i ndershëm, i drejtë, të ketë frikë nga Perëndia dhe t'i largohet së keqes".

9. Atëherë Satani iu përgjigj Zotit dhe tha: "Vallë më kot Jobi ka frikë nga Perëndia?

10. A nuk ke vënë ti një mbrojtje rreth tij, rreth shtëpisë së tij dhe të gjitha gjërave që ai zotëron? Ti ke bekuar veprën e duarve të tij dhe bagëtia e tij është shtuar shumë në vend.

11. Por shtri dorën tënde dhe preki të gjitha ato që ai zotëron dhe ke për të parë po nuk të mallkoi ai haptazi".