Bibla Shqip

Jobi 1:12-22 Bibla Shqip (ALBB)

12. Zoti i tha Satanit: "Ja, të gjitha ato që ai zotëron janë në pushtetin tënd, por mos e shtri dorën mbi personin e tij". Kështu Satani u largua nga prania e Zotit.

13. Kështu një ditë ndodhi që, ndërsa bijtë e tij dhe bijat e tij hanin e pinin verë në shtëpinë e vëllait të tyre më të madh, erdhi nga Jobi një lajmëtar për t'u thënë:

14. Qetë po lëronin dhe gomarët po kullotnin aty afër,

15. kur sabenjtë u sulën mbi ta, i morën me vete dhe vranë me shpatë shërbëtorët. Vetëm unë shpëtova për të ardhur të ta them".

16. Ai ishte duke folur ende, kur arriti një tjetër dhe tha: "Zjarri i Perëndisë ra nga qielli, zuri delet dhe shërbëtorët dhe i ka përpirë. Vetëm unë shpëtova për të ardhur të ta them".

17. Ai ishte duke folur, ende, kur arriti një tjetër dhe tha: "Kaldeasit kanë formuar tri banda, u sulën mbi devetë dhe i morën me vete, vranë me shpatë shërbëtorët. Vetëm unë shpëtova për të ardhur të ta them".

18. Ai ishte duke folur, ende, kur arriti një tjetër dhe tha: "Bijtë e tu dhe bijat e tua ishin duke ngrënë dhe duke pirë verë në shtëpinë e vëllait të tyre më të madh,

19. kur papritur një erë e furishme, që vinte nga shkretëtira, ra në të katër qoshet e shtëpisë e cila u shemb mbi të rinjtë, dhe ata vdiqën. Vetëm unë shpëtova dhe erdha të ta them".

20. Atëherë Jobi u ngrit, grisi mantelin e tij dhe rroi kokën; pastaj ra përmbys dhe adhuroi,

21. dhe tha: "Lakuriq dola nga barku i nënës sime dhe lakuriq do të kthehem. Zoti ka dhënë dhe Zoti ka marrë. Qoftë i bekuar emri i Zotit".

22. Në të gjitha këto Jobi nuk mëkatoi dhe nuk paditi Perëndinë për ndonjë padrejtësi.