Bibla Shqip

Gjoni 6:58-69 Bibla Shqip (ALBB)

58. Kjo është buka që zbriti nga qielli; nuk është si mana që hëngrën etërit tuaj dhe vdiqën; kush ha këtë bukë do të jetojë përjetë''.

59. Këto gjëra tha Jezusi në sinagogë, duke mësuar në Kapernaum.

60. Kur i dëgjuan këto, shumë nga dishepujt e tij thanë: ''Kjo e folur është e rëndë, kush mund ta kuptojë?''.

61. Por Jezusi, duke e ditur në vetvete se dishepujt e vet po murmurisnin për këtë, u tha atyre: ''Kjo ju skandalizon?

62. Ç'do të ishte po ta shihnit, pra, Birin e njeriut duke u ngjitur atje ku ishte më parë?

63. Është Fryma që jep jetë; mishi nuk vlen asgjë; fjalët që po ju them janë frymë dhe jetë.

64. Por janë disa midis jush që nuk besojnë''; në fakt Jezusi e dinte që në fillim kush ishin ata që nuk besonin, dhe kush ishte ai që do ta tradhtonte;

65. dhe thoshte: ''Për këtë arsye ju thashë se askush nuk mund të vijë tek unë, nëse nuk i është dhënë nga Ati im''.

66. Që nga ai moment shumë nga dishepujt e vet u tërhoqën dhe nuk shkuan më me të.

67. Atëherë Jezusi u tha të dymbëdhjetëve: ''A doni edhe ju të largoheni?''.

68. Dhe Simon Pjetri iu përgjigj: ''Zot, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme.

69. Ne kemi besuar dhe kemi njohur se ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë''.