Bibla Shqip

Gjoni 6:31-48 Bibla Shqip (ALBB)

31. Etërit tanë hëngrën manën në shkretëtirë, siç është shkruar: "Ai u dha të hanë bukë nga qielli"''.

32. Atëherë Jezusi u tha atyre: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se jo Moisiu jua ka dhënë bukët nga qielli, por Ati im ju jep bukën e vërtetë nga qielli.

33. Sepse buka e Perëndisë është ai që zbret nga qielli dhe i jep jetë botës''.

34. Atëherë ata i thanë: ''Zot, na jep gjithmonë atë bukë''.

35. Dhe Jezusi u tha atyre: ''Unë jam buka e jetës; kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri dhe kush beson në mua, nuk do të ketë më kurrë etje.

36. Por unë jua thashë: ju më keni parë, por nuk besoni.

37. Gjithçka që më jep Ati do të vijë tek unë; dhe atë që vjen tek unë, unë nuk do ta nxjerr jashtë kurrë,

38. sepse unë kam zbritur nga qielli jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më ka dërguar.

39. Ky është vullneti i Atit që më ka dërguar: që unë të mos humbas asgjë nga të gjitha ato që ai më ka dhënë, por t'i ringjall në ditën e fundit.

40. Ky, pra, është vullneti i atij që më ka dërguar: që kushdo që sheh Birin dhe beson në të, të ketë jetë të përjetshme, dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit''.

41. Judenjtë, pra, murmurisnin për të, sepse kishte thënë: ''Unë jam buka që zbriti nga qielli'',

42. dhe thoshin: ''Vallë, a nuk është ky Jezusi, biri i Jozefit, të cilit ia njohim babanë dhe nënën? Si thotë, pra, ky: "Unë zbrita nga qielli"?''.

43. Atëherë Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: ''Mos murmurisni midis jush.

44. Askush nuk mund të vijë tek unë, po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit.

45. Në profetët është shkruar: "Të gjithë do të jenë të mësuar nga Perëndia". Çdo njeri, pra, që ka dëgjuar dhe mësuar nga Ati, vjen tek unë.

46. Jo s'e ka parë ndonjë Atin, përveç atij që është nga Perëndia; ky e ka parë Atin.

47. Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Kush beson në mua ka jetë të përjetshme.

48. Unë jam buka e jetës.