Bibla Shqip

Gjoni 6:21-38 Bibla Shqip (ALBB)

21. Ata, pra, deshën ta merrnin në barkë, dhe menjëherë barka u bregëzua në atë vend ku ishin drejtuar.

22. Të nesërmen turma, që kishte mbetur në bregun tjetër të detit, pa se atje nuk kishte tjetër përveç një barke të vogël, në të cilën kishin hipur dishepujt e Jezusit, dhe që ai nuk kishte hipur me ta, dhe që dishepujt e tij ishin nisur vetëm;

23. ndërkaq kishin ardhur barka të tjera nga Tiberiada, afër vendit ku kishin ngrënë bukë, pasi Zoti kishte falënderuar.

24. Turma, kur pa se Jezusi nuk ishte më atje dhe as dishepujt e tij, hipi edhe ajo nëpër barka dhe erdhi në Kapernaum, duke kërkuar Jezusin.

25. Kur e gjetën përtej detit i thanë: ''Mësues, kur erdhe këtu?''

26. Jezusi u përgjigj dhe tha: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se ju më kërkoni jo pse patë shenja, por sepse keni ngrënë nga bukët dhe keni qenë të ngopur.

27. Mos punoni për ushqimin që prishet, por për ushqimin që mbetet për jetë të përjetshme, të cilin do t'jua japë Biri i njeriut, sepse mbi të Ati, domethënë Perëndia, vuri vulën e tij.''

28. Atëherë e pyetën: ''Çfarë duhet të bëjmë për të kryer veprat e Perëndisë?''.

29. Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: ''Kjo është vepra e Perëndisë: të besoni në atë që ai ka dërguar.''

30. Atëherë ata i thanë: ''Çfarë shenjë bën ti, pra, që ne ta shohim e ta besojmë? Ç'vepër po kryen?

31. Etërit tanë hëngrën manën në shkretëtirë, siç është shkruar: "Ai u dha të hanë bukë nga qielli"''.

32. Atëherë Jezusi u tha atyre: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se jo Moisiu jua ka dhënë bukët nga qielli, por Ati im ju jep bukën e vërtetë nga qielli.

33. Sepse buka e Perëndisë është ai që zbret nga qielli dhe i jep jetë botës''.

34. Atëherë ata i thanë: ''Zot, na jep gjithmonë atë bukë''.

35. Dhe Jezusi u tha atyre: ''Unë jam buka e jetës; kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri dhe kush beson në mua, nuk do të ketë më kurrë etje.

36. Por unë jua thashë: ju më keni parë, por nuk besoni.

37. Gjithçka që më jep Ati do të vijë tek unë; dhe atë që vjen tek unë, unë nuk do ta nxjerr jashtë kurrë,

38. sepse unë kam zbritur nga qielli jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më ka dërguar.