Bibla Shqip

Gjoni 6:1-13 Bibla Shqip (ALBB)

1. Pas këtyre gjërave, Jezusi kaloi përtej detit të Galilesë, domethënë të Tiberiadës.

2. Dhe një turmë e madhe e ndiqte, sepse shikonte shenjat që ai bënte mbi të lënguarit.

3. Por Jezusi u ngjit mbi malin dhe atje u ul me dishepujt e tij.

4. Dhe Pashka, festa e judenjve ishte afër.

5. Jezusi, pra, i ngriti sytë dhe, duke parë se një turmë e madhe po vinte tek ai, i tha Filipit: ''Ku do të blejmë bukë që këta të mund të hanë?''.

6. Por ai e thoshte këtë për ta vënë në provë, sepse ai e dinte ç'do të bënte.

7. Filipi iu përgjigj: ''Dyqind denarë bukë nuk do të mjaftojnë për ata, që secili prej tyre mund të ketë një copë''.

8. Andrea, i vëllai i Simon Pjetrit, një nga dishepujt e tij, i tha:

9. ''Këtu është një djalosh që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël; por ç'janë këto për aq njerëz?''.

10. Dhe Jezusi tha: ''Bëjini njerëzit të ulen!''. Por në atë vend kishte shumë bar. Njerëzit, pra, u ulën dhe ishin në numër rreth pesë mijë.

11. Pastaj Jezusi mori bukët dhe, pasi falënderoi, ua ndau dishepujve dhe dishepujt njerëzve të ulur; të njëjtën gjë bënë edhe me peshqit, aq sa deshën.

12. Dhe mbasi ata u ngopën, Jezusi u tha dishepujve të vet: ''Mblidhni copat që tepruan, që të mos shkojë dëm asgjë''.

13. I mblodhën, pra, dhe mbushën dymbëdhjetë shporta me copa nga ato pesë bukë prej elbi që u tepruan atyre që kishin ngrënë.