Bibla Shqip

Gjoni 4:1-14 Bibla Shqip (ALBB)

1. Pra, kur Zoti mori vesh se farisenjtë kishin dëgjuar se Jezusi po bënte më shumë dishepuj dhe po pagëzonte më shumë se Gjoni

2. (ndonëse nuk pagëzonte Jezusi vetë, por dishepujt e tij),

3. e la Judenë dhe shkoi përsëri në Galile.

4. Por duhej të kalonte nëpër Samari.

5. Arriti, pra, në një qytet të Samarisë që quhej Sihar, afër tokës që Jakobi i kishte dhënë Jozefit, birit të vet.

6. Por aty ishte pusi i Jakobit. Dhe Jezusi, i lodhur nga udhëtimi, u ul pranë pusit; ishte rreth orës së gjashtë.

7. Një grua nga Samaria erdhi të nxjerrë ujë. Dhe Jezusi i tha: ''Më jep të pi'',

8. sepse dishepujt e vet kishin shkuar në qytet për të blerë ushqime.

9. Por gruaja samaritane i tha: ''Po qysh, ti që je jude kërkon të pish prej meje, që jam një grua samaritane?'' (Sepse judenjtë nuk shoqërohen me samaritanët).

10. Jezusi u përgjigj dhe i tha: ''Po ta njihje ti dhuratën e Perëndisë dhe kush është ai që të thotë: "Më jep të pi!", ti vetë do të kërkoje nga ai dhe ai do të të jepte ujë të gjallë''.

11. Gruaja i tha: ''Zot, ti nuk ke as kovë për të nxjerrë dhe pusi është i thellë; nga e ke, pra, atë ujë të gjallë?

12. Vallë je më i madh se Jakobi, ati ynë, qe na dha këtë pus dhe piu prej tij ai vetë, bijtë e tij dhe bagëtitë e tij?''.

13. Jezusi u përgjigj dhe i tha: ''Kushdo që pi nga ky ujë, do të ketë përsëri etje,

14. por kush pi nga uji që do t'i jap unë nuk do të ketë më kurrë etje përjetë; por uji që unë do t'i jap do të bëhet në të një burim uji që gufon në jetë të përjetshme''.