Bibla Shqip

Gjoni 3:2-17 Bibla Shqip (ALBB)

2. Ky erdhi natën te Jezusi dhe i tha: ''Mësues, ne e dimë se ti je një mësues i ardhur nga Perëndia, sepse askush nuk mund të bëjë shenjat që bën ti, në qoftë se Perëndia nuk është me të''.

3. Jezusi iu përgjigj dhe tha: ''Në të vërtetë, në të vërtete po të them që nëse një nuk ka rilindur, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë''.

4. Nikodemi i tha: ''Po si mund të lindë njeriu kur është plak? A mund të hyjë ai për së dyti në barkun e nënës së vet dhe të lindë?''.

5. Jezusi u përgjigj: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.

6. Ç'ka lindur nga mishi është mish; por ç'ka lindur nga Fryma është frymë.

7. Mos u mrekullo që të thashë: "Duhet të lindni përsëri".

8. Era fryn ku të dojë dhe ti ia dëgjon zërin, por ti nuk e di nga vjen as ku po shkon; kështu është edhe çdo njëri që ka lindur nga Fryma''.

9. Nikodemi, duke u përgjigjur, i tha: ''Si mund të ndodhin këto gjëra?''.

10. Jezusi u përgjigj dhe i tha: ''Ti je mësuesi i Izraelit dhe nuk i ditke këto gjëra?

11. Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se ne flasim atë që dimë dhe dëshmojmë atë që pamë, por ju nuk e pranoni dëshminë tonë.

12. Në qoftë se ju fola për gjërat tokësore dhe ju nuk besoni, si do të më besoni nëse ju flas për gjërat qiellore?

13. Askush nuk u ngjit në qiell, përveç atij që zbriti nga qielli, pra, Birit të njeriut që është në qiell.

14. Dhe ashtu si Moisiu e ngriti lart gjarprin në shkretëtirë, kështu duhet të ngrihet lart Biri i njeriut,

15. që kushdo që beson në të të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.

16. Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.

17. Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij.