Bibla Shqip

Gjoni 16:1-21 Bibla Shqip (ALBB)

1. ''Jua kam thënë këto gjëra, që të mos skandalizoheni.

2. Do t'ju përjashtojnë nga sinagogat; madje po vjen ora kur, kushdo që t'ju vrasë, do të mendojë se i ka kryer një shërbim Perëndisë.

3. Dhe do t'ju bëjnë këto gjëra, sepse nuk kanë njohur as Atin, as mua.

4. Por unë jua kam thënë këto gjëra që, kur të vijë momenti, të kujtoheni se unë jua kisha thënë; por nga fillimi këto fjalë nuk jua pata thënë, sepse isha me ju.

5. Por tani unë po shkoj tek ai që më ka dërguar, dhe askush nga ju s'po më pyet: "Ku po shkon?".

6. Madje, për shkak se ju thashë këto gjëra, trishtimi e ka mbushur zemrën tuaj.

7. Megjithatë unë ju them të vërtetën: është mirë për ju që unë të shkoj, sepse, po nuk shkova, nuk do të vijë te ju Ngushëlluesi; por, po shkova, unë do t'jua dërgoj.

8. Dhe kur të ketë ardhur, ai do ta bindë botën për mëkat, për drejtësi dhe për gjykim.

9. Për mëkat, sepse nuk besojnë në mua;

10. për drejtësi, sepse unë po shkoj tek Ati dhe nuk do të më shihni më;

11. për gjykim, sepse princi i kësaj bote është gjykuar.

12. Kam edhe shumë gjëra të tjera për t'ju thënë, por ato ende ju nuk mund t'i mbani.

13. Por, kur të vijë ai, Fryma e së vërtetës, ai do t'ju prijë në çdo të vërtetë, sepse ai nuk do të flasë nga vetja, por do të thotë gjitha ato gjëra që ka dëgjuar dhe do t'ju kumtojë gjërat që do vijnë.

14. Ai do të më përlëvdojë, sepse do të marrë prej meje dhe do t'jua kumtojë.

15. Të gjitha gjërat që ka Ati janë të miat; për këtë ju thashë se ai do të marrë prej simes dhe do t'jua kumtojë.

16. Pas pak nuk do të më shihni më; e përsëri një kohë e shkurtër e do të më shihni, sepse unë po shkoj tek Ati''.

17. Atëherë disa nga dishepujt e tij thoshin midis tyre: ''Ç'është kjo që po na thotë: "Pas pak nuk do të më shihni më", dhe: "e përsëri një kohë e shkurtër e do të më shihni" dhe: "Sepse unë po shkoj te Ati"?''.

18. thoshin pra: ''Ç'është kjo "Pas pak", për të cilën flet? Ne s'dimë ç'do të thotë''.

19. Jezusi, pra, e kuptoi se ata donin ta pyesnin dhe u tha atyre: ''Ju po pyesni njëri-tjetrin pse thashë: "Pas pak nuk do të më shihni më", dhe: "E përsëri një kohë e shkurtër e do të më shihni"?

20. Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: ju do të qani dhe do të mbani zi dhe bota do të gëzohet. Ju do të pikëlloheni, por pikëllimi juaj do të kthehet në gëzim.

21. Gruaja, kur lind, ka dhembje, sepse i erdhi ora; por, sapo e ka lindur fëmijën, nuk kujton më ankthin prej gëzimit që lindi një qenie njerëzore në botë.