Bibla Shqip

2 Pjetrit 1:1-11 Bibla Shqip (ALBB)

1. Simon Pjetri, shërbëtor dhe apostull i Jezu Krishtit, atyre që kanë marrë për pjesë një besim të çmueshëm sikurse edhe ne, me anë të drejtësisë së Perëndisë tonë dhe të Shpëtimtarit Jezu Krisht:

2. hiri dhe paqja u shumoftë për ju në njohjen e Perëndisë dhe të Jezusit, Zotit tonë.

3. Duke qenë se fuqia e tij hyjnore na dhuroi të gjitha gjërat që i takojnë jetës dhe perëndishmërisë, me anë të njohjes së atij që na thirri me lavdinë dhe virtytin e vet,

4. me anë të të cilave na u dhuruan premtimet e çmueshme dhe shumë të mëdha, që nëpërmjet tyre të bëheni pjesëtarë të natyrës hyjnore, duke i shpëtuar prishjes që është në botë për shkak të lakmisë.

5. Edhe ju, për të njëjtën arsye, duke bërë çdo përpjekje, t'i shtoni besimit tuaj virtytin, dhe virtytit diturinë,

6. diturisë vetëkontroll, vetëkontrollit qëndresën, qëndresës perëndishmërinë,

7. perëndishmërisë dashurinë vëllazërore dhe dashurisë vëllazërore dashurinë.

8. Sepse nëse këto gjëra gjenden në ju me shumicë, nuk do t'ju lejojnë të bëheni përtacë dhe as të pafryt në njohjen e Zotit tonë Jezu Krisht.

9. Sepse ai që nuk i ka këto gjëra është i verbër dhe dritëshkurtër, sepse harroi pastrimin nga mëkatet e tij të vjetra.

10. Prandaj, vëllezër, përpiquni gjithnjë e më shumë ta përforconi thirrjen dhe zgjedhjen tuaj, sepse, duke bërë këto gjëra, nuk do të pengoheni kurrë.

11. Sepse kështu begatisht do t'ju hapet hyrja në mbretërinë e amshuar të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht.