Bibla Shqip

1 Gjonit 5:8-21 Bibla Shqip (ALBB)

8. Edhe tre janë ata që dëshmojnë mbi dhe: Fryma, uji dhe gjaku; dhe këta të tre janë të një mendimi.

9. Në qoftë se ne pranojmë dëshminë e njerëzve, dëshmia e Perëndisë është më e madhe, sepse kjo është dëshmia e Perëndisë që ai dha për Birin e tij.

10. Ai që beson në Birin e Perëndisë ka këtë dëshmi në vetvete; ai që nuk beson te Perëndia, e ka bërë atë gënjeshtar, sepse nuk i besoi dëshmisë që Perëndia dha për Birin e tij.

11. Dhe dëshmia është kjo: Perëndia na dha jetën e përjetshme dhe kjo jetë është në Birin e tij.

12. Ai që ka Birin, ka jetën; ai që nuk ka Birin e Perëndisë, nuk ka jetën.

13. Jua shkrova këto gjëra juve që besoni në emrin e Birit të Perëndisë, që të dini se keni jetën e përjetshme dhe që të besoni në emrin e Birit të Perëndisë.

14. Kjo është siguria që kemi përpara tij: nëse kërkojmë diçka sipas vullnetit të tij, ai na e plotëson:

15. Dhe nëse dimë se ai na i plotëson të gjitha ato që i kërkojmë, ne dimë se i kemi ato që i kërkuam atij.

16. Në se dikush sheh vëllanë e vet se kryen një mëkat që nuk çon në vdekje, le t'i lutet Perëndisë, dhe ai do t'i japë jetën, atyre që bëjnë mëkat që nuk çon në vdekje. Ka mëkat që çon në vdekje nuk them që ai të lutet për këtë.

17. Çdo paudhësi është mëkat; por ka mëkat që nuk çon në vdekje.

18. Ne dimë se kushdo që ka lindur nga Perëndia nuk mëkaton; ai që ka lindur nga Perëndia e ruan veten e tij, dhe i ligu nuk e prek atë.

19. Ne dimë se jemi nga Perëndia dhe se gjithë bota dergjet në ligësi.

20. Por ne dimë se Biri i Perëndisë erdhi dhe na dha të kuptuarit, që ne të njohim atë që është i Vërteti; dhe ne jemi në të Vërtetin, në Birin e tij Jezu Krisht; ky është i vërteti Perëndi dhe jeta e përjetshme.

21. Djema, ruani veten nga idhujt.