Bibla Shqip

1 Gjonit 3:7-20 Bibla Shqip (ALBB)

7. Djema, kurrkush mos ju mashtroftë: ai që zbaton drejtësinë është i drejtë, ashtu sikur është i drejtë ai.

8. Kush kryen mëkat është nga djalli, sepse djalli mëkaton nga fillimi; prandaj është shfaqur Biri i Perëndisë: për të shkatërruar veprat e djallit.

9. Kush lindi nga Perëndia nuk kryen mëkat, sepse fara e Perëndisë qëndron në të dhe nuk mund të mëkatojë sepse lindi nga Perëndia.

10. Prej kësaj njihen bijtë e Perëndisë dhe bijtë e djallit; kushdo që nuk praktikon drejtësinë nuk është nga Perëndia, as ai që nuk do vëllanë e vet.

11. Sepse ky është mesazhi që dëgjuat nga fillimi. Ta duam njëri-tjetrin,

12. jo sikundër Kaini, i cili ishte nga i ligu dhe vrau vëllanë e vet. Dhe për çfarë arsye e vrau atë? Sepse veprat e tij ishin të liga dhe ato të të vëllait ishin të drejta.

13. Mos u çuditni, vëllezër të mi, nëse bota ju urren.

14. Ne e dimë se kemi kaluar nga vdekja në jetë, sepse i duam vëllezërit; kush nuk e do vëllanë e vet, mbetet në vdekje.

15. Kushdo që urren vëllanë e vet është vrasës; dhe ju e dini se asnjë vrasës nuk ka jetë të përjetshme të qëndrueshme në vete.

16. Nga kjo e kemi njohur dashurinë: ai e dha jetën e vet për ne; dhe ne duhet ta japim jetën tonë për vëllezërit.

17. Dhe nëse njëri ka të mirat e kësaj bote dhe sheh të vëllanë që është në nevojë dhe e mbyll zemrën e tij, si qëndron në të dashuria e Perëndisë?

18. Djema të rinj, të mos duam me fjalë, as me gjuhë, por me vepra dhe në të vërtetë.

19. Dhe nga kjo ne dimë se jemi në të vërtetën dhe do t'i bindim zemrat tona para atij;

20. sepse, po të na dënojë zemra jonë, Perëndia është më i madh se zemra jonë dhe njeh çdo gjë.