1. Shikoni ç'dashuri të madhe na dha Ati, që të quhemi bij të Perëndisë. Prandaj bota nuk na njeh, sepse nuk e ka njohur atë.
2. Shumë të dashur, tani jemi bij të Perëndisë, por ende nuk është shfaqur ç'do të jemi; por dimë se, kur të shfaqet ai, do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim se si është ai.
3. Dhe kushdo që e ka këtë shpresë në të, le ta pastrojë veten, siç është i pastër ai.
4. Kush bën mëkat, bën edhe shkelje të ligjit; dhe mëkati është shkelje e ligjit.
5. Dhe ju e dini se ai u shfaq për të hequr mëkatet tona; dhe në të nuk ka mëkat.
6. Kush qëndron në të nuk mëkaton; kush mëkaton nuk e ka parë dhe as nuk e ka njohur.
7. Djema, kurrkush mos ju mashtroftë: ai që zbaton drejtësinë është i drejtë, ashtu sikur është i drejtë ai.
8. Kush kryen mëkat është nga djalli, sepse djalli mëkaton nga fillimi; prandaj është shfaqur Biri i Perëndisë: për të shkatërruar veprat e djallit.
9. Kush lindi nga Perëndia nuk kryen mëkat, sepse fara e Perëndisë qëndron në të dhe nuk mund të mëkatojë sepse lindi nga Perëndia.
10. Prej kësaj njihen bijtë e Perëndisë dhe bijtë e djallit; kushdo që nuk praktikon drejtësinë nuk është nga Perëndia, as ai që nuk do vëllanë e vet.
11. Sepse ky është mesazhi që dëgjuat nga fillimi. Ta duam njëri-tjetrin,
12. jo sikundër Kaini, i cili ishte nga i ligu dhe vrau vëllanë e vet. Dhe për çfarë arsye e vrau atë? Sepse veprat e tij ishin të liga dhe ato të të vëllait ishin të drejta.
13. Mos u çuditni, vëllezër të mi, nëse bota ju urren.