Bibla Shqip

Jobi 17 Bibla Shqip (ALBB)

1. "Fryma ime u copëtua, ditët po më shuhen, varri po më pret.

2. A nuk jam i rrethuar nga njerëz që më përqeshin. Syri im ndalet mbi fyerjet e tyre.

3. Më jep, pra, një peng pranë teje, përndryshe kush do të më shtrëngonte dorën si garant?

4. Nga që i ke penguar mendjet e tyre të kuptojnë, prandaj nuk do t'i bësh të triumfojnë.

5. Kush i tradhton miqtë derisa t'i grabisë, ka për t'i parë më pak sytë e fëmijëve të tij.

6. Por unë prej tij jam bërë gazi i popujve dhe jam katandisur në një njeri të cilin e pështyjnë në fytyrë.

7. Syri më erret për shkak të dhembjes dhe tërë gjymtyrët e mia nuk janë veçse hije.

8. Njerëzit e drejtë habiten nga kjo, dhe i pafajshmi ngrihet kundër të pabesit.

9. Megjithatë i drejti mbetet i lidhur fort me rrugën e tij, dhe ai që i ka duart e pastra fortësohet gjithnjë e më tepër.

10. Sa për ju të gjithë, kthehuni, ejani, pra, sepse midis jush nuk po gjej asnjë njeri të urtë.

11. Ditët e mia shkuan dhe planet e mia u prishën, pikërisht ato dëshira që unë ushqeja në zemër.

12. Ata e ndërrojnë natën në ditë, "drita është afër", thonë, për shkak të errësirës.

13. Në rast se e pres Sheolin si shtëpinë time në rast se e shtrij shtrojen time në terr,

14. në rast se i them vendvarrit: "Ti je ati im", dhe krimbave: "Jeni nëna ime dhe motra ime",

15. ku është, pra, shpresa ime? Kush mund të dallojë ndonjë shpresë për mua?

16. A do të zbres vallë në portat e Sheolit, kur do të gjejmë bashkë prehje në pluhur?".